Martesa e vonuar dhe seksi

Pyetje: Fatkeqësisht ose fatmirësisht jam martuar në moshën 64 vjeç. Çfarë të bëj për të rritur potencën seksuale?

Përgjigje:

Për mirë, ose për keq, ju e vlerësoni vetë. Populli përdor shumë shprehje: “Më mirë vonë se kurrë”, “Më mirë herët se vonë”, “Dielli duket që në mëngjes” e shumë të tjera. Si do që të jetë, ju kërkoni ndihmë dhe unë do të mundohem t’ua jap.
Vetë pyetja që ju bëni, tregon se sa ndryshojnë të moshuarit e sotëm nga ata të gjeneratave të kaluara. Të sotmit janë më aktivë dhe vazhdojnë të bëjnë, ose më së paku, dëshirojnë të bëjnë, akoma, shumë nga ato gjëra që i bënin kur ishin të rinj. Në këto “gjëra”, pa dyshim, bën pjesë edhe kënaqësia seksuale dhe marrëdhëniet intime. Edhe pse të moshuar, ata dëshirojnë ta vazhdojnë intimitetin me partnerët e tyre dhe të përfshihen në marrëdhënie sa më të plota. Ata e dinë që marrëdhëniet seksuale të shëndetshme, influencojnë për mirë në të gjitha aspektet e jetës së tyre, përfshi edhe shëndetin fizik dhe psikologjik.
Këshilla ime e parë është kjo: Mos u vini veshin mesazheve të gabuara të televizioneve dhe filmave që e konsiderojnë intimitetin dhe seksin sikur janë vetëm për të rinjtë. Unë nuk besoj se ju, ashtu si edhe gjithë të tjerët, të keni parë ndonjë skenë intime me të moshuar në reklama ose në filma! Kjo nuk reflekton të vërtetën. Nevoja për intimitet nuk njeh moshë. Në këtë kuptim, ju keni plotësisht të drejtë kur kërkoni të dini se si mund ta përmirësoni jetën tuaj seksuale. Askush nuk duhet t’i mohojë vetes dëshirat për afeksion, afërsi emocionale dhe dashuri intime. Këtë mos e harroni kurë. Shumë të moshuar edhe pse në moshën 80 dhe 90 vjeç, kanë akoma fantazi dhe dëshira seksuale. Natyrisht, seksi nuk do të jetë ashtu siç ishte në 20 vjeç, por intimiteti do të jetë plot kënaqësi.
Moshimi sjell ndryshime fizike

Testosteroni, hormoni përgjegjës për dëshirën seksuale të burrave dhe të grave, vazhdon të prodhohet në sasi që janë të mjaftueshme për të ruajtur interesimin për seks edhe tek të moshuarit. Pra, edhe pse trupi pëson ndryshime fizike që e vështirësojnë kryerjen e marrëdhënieve seksuale, dëshira për të bërë seks, që mbetet akoma gjallë, i shtyn të moshuarit të gjejnë teknika dhe pozicione të reja për të kënaqur interesat tyre seksuale.

Çfarë ndodh tek burrat e moshuar?

Për juve, është, akoma, shpejt të quheni i moshuar, por për ta bërë përgjigjen më të kuptueshme, le të flasim për këtë grup burrash.

Burrave të moshuar u duhet më shumë kohë për të arritur forcimin e penisit (ereksionin).
Ereksionet e tyre nuk janë shumë të forta dhe nuk zgjasin shumë kohë. (Shumë burra me humor thonë se “u duhet një lugë këpucësh, ose u duhen gishtat për të ndihmuar penetrimin e penisit në vaginë.
Ata nuk bëhen dot gati, për një herë tjetër, pa kaluar shumë kohë. Ata mund të mos arrijnë një ereksion tjetër edhe pas disa ditëve.
Ju nuk më thoni nëse keni filluar t’i ndjeni këto ankesa, nëse jo, shumë mirë për ju. Por në qoftë se ato kanë filluar, si tek shumë moshatarët tuaj, mos u mërzit. Kjo është fiziologjia. Por duhet të dini se sot, mjekësia seksuale, ka arritur suksese të mëdha. Ajo është e aftë të ndihmojë burrat dhe gratë, që vuajnë pasojat seksuale të moshimit.

Çfarë duhet të bëni?

-Përpiquni të gjeni dhe përdorni pozicione të reja e të përshtatshme për seks. Pozicione që e bëjnë penetrimin e penisit më të lehtë për ju dhe për gruan tuaj.

-Bisedoni me doktorin, po qe se nuk e mbani dot ereksionin për aq kohë sa duhet dhe po qe se nuk arrini dot në orgasmë. Doktori do t’u ndihmojë të përshtateni me këto ndryshime dhe do t’u rekomandojë barnat që do t’u ndihmojnë të arrini dhe ta mbani ereksionin. Ka mbi dhjetë vjet që Viagra ka hyrë në tregun farmaceutik me shumë sukses. Ajo dhe shoqet e saj Levitra e Cialis, bënë një revolucion të vërtetë në jetën e të moshuarve, ndaj, ato janë barnat më të shitura kudo në botë. Ato nuk duhet të konsiderohen më si barna luksi, por duhen të përdoren pas vizitës tek doktori dhe me rekomandimin e tij.

Në një artikull të botuar më parë, kam propozuar që sigurimet mjekësore duhet t’i rimbursojnë këto barna të mrekullueshme për të moshuarit që nuk kanë mundësi financiare t’i blejnë. Këto barna që përmirësojnë shëndetin seksual të të moshuarve, bëjnë që të përmirësohet shumë edhe gjendja e përgjithshme shëndetësore e tyre. Rimbursimi i tyre do të ishte një vlerësim i merituar për të gjithë të moshuarit. Duke përfituar nga pyetja jote, unë po e ngre edhe njëherë tjetër këtë propozim.

Këto barna përdoren në dy mënyra. Mënyra e parë është kur ato merren përpara aktit seksual. Burri e merr Viagrën 30 minuta para se të fillojë lojën seksuale, ndërsa Cialis ka efekt 36 orë, ndërsa Levitra ka efekt edhe më të gjatë. Që këto barna të kenë sukses, pas marrjes së tyre duhet patjetër lojë seksuale.

Mënyra e dytë është kur Viagra dhe Cialis merren nga goja me doza më të vogla por për ditë, siç merret çdo bar tjetër për sëmundje të zemrës, të vazave të gjakut ose tensionit arterial të lartë. Kjo mënyrë e dytë është më e mirë sepse i mban vazhdimisht të hapura vazat e gjakut që çojnë gjak në penis.

Ka raste kur këto barna nuk të ndihmojnë. Nuk e di si është puna me ju. Nuk më shkruani nëse i keni përdorur dhe a u kanë ndihmuar? Në rastet kur këto barna nuk të ndihmojnë, doktori mund të rekomandojë mënyra të tjera:

Injeksionet direkt në penis me prostaglandina, ose barna të tjera më të lira.
Pompat vakum të penisit.
Kirurgjinë vaskulare në penis.
Protezat e penisit e të tjera.
Siç e shihni, mundësitë janë pa fund. Por mentaliteti regresiv, që e konsideron aktivitetin seksual tek të moshuarit të panevojshëm dhe turp, pengon seriozisht. Të gjithë duhet të kuptojmë se aktiviteti seksual tek të moshuarit është me vlera të mëdha për shëndetin. Në radhë të parë, këtë duhet ta kuptojnë vetë të moshuarit dhe mjekët e tyre. Ata duhet të shfrytëzojnë çdo mundësi për të përmirësuar jetën seksuale.

Ka edhe një faktor tjetër, shumë i rëndësishëm, që pengon jetën seksuale të të moshuarve. Ai është faktori i ndryshimeve psikologjike

Ndryshimet Psikologjike.

Aftësia për të bërë seks, varet nga gjendja mendore dhe nga gjendja trupore e personit. Kjo vlen, po njësoj edhe për të moshuarit. Në qoftë se shqetësohen, ndruhen dhe u vjen turp që kanë akoma ndjenja dhe dëshirë për jetë seksuale ngaqë janë të moshuar, ky ankth do ta pengojë eksitimin e tyre seksual. Këtu nuk ka vend për turp. Jeta seksuale është pjesë me rëndësi e jetës dhe funksion fiziologjik i domosdoshëm. Ai duhet të kryhet gjatë gjithë kohës në përshtatje me kushtet e moshës dhe të shëndetit. Jeta e mirë seksuale në çdo periudhë, e përmirëson ndjeshëm shëndetin.

Kur njerëzit moshohen, nuk ka dyshim, që edhe pamja e tyre e jashtme ndryshon. Kjo bën, që disa të moshuar të ndjejnë se emocionalisht janë të papërshtatshëm për t’u përfshirë në marrëdhënie seksuale. Kur në fytyrë dhe në trup duken shumë rrudha dhe në kokë duken më shumë flokë të zbardhur, ata ndjejnë se janë më pak tërheqës, seksualisht, për të tjerët. Ata krijojnë imazh të keq për trupin dhe kjo pakëson dëshirën për seks. Gratë, më shumë nga burrat e moshuar, ndjejnë se me imazhin trupor që kanë nuk e meritojnë vëmendjen seksuale të partnerit. Ky është gabim shumë i madh. Në këtë periudhë të jetës, kur burri ka nevojë për më shumë përkëdhelje që të aftësohet seksualisht, gruaja largohet fare. Për arsye të imazhit trupor, ata i mohojnë vetes lumturinë seksuale. Mos harroni, as ju, as gruaja juaj dhe as kushdo tjetër se truri, tek njerëzit, është organi kryesor seksual.

Një faktor tjetër negativ, lidhur me jetën seksuale të të moshuarve, është ankthi dhe stresi që vjen nga shqetësimi i madh që kanë lidhur me performancën seksuale. Ju nuk më thoni nëse e filloni lojën seksuale me disa shqetësime: do të kem ose jo ereksion të penisit? A do të jetë forcimi i mjaftueshëm? A do ta mbaj ereksionin, apo ai do të shuhet shpejt? A do të prishem para kohe? Të gjithë burrat, në përmasa të ndryshme, i marrin me vete në shtrat këto shqetësime. Këto shkaktojnë ankth dhe ankthi shkakton impotencën seksuale tek burrat, veçanërisht, tek burrat e moshuar. Në qoftë se edhe ju e keni këtë ankth të performancës, mësohuni t’i merrni punët ngadalë. Bisedoni me gruan hapur, lidhur me këtë ankth që keni. Të jeni të sigurtë se pas një bisede të hapur, gruaja do të ofrojë siguri dhe nuk do t’u thotë: “kur nuk je i zoti, pse kërkon”. Kjo është e vetmja mënyrë që do t’u ndihmojë të evitoni këtë presion.

Influenca e mjekimeve dhe operacioneve.

Disa probleme mjekësore, nga të cilat zakonisht vuajnë të moshuarit, e prishin jetën e tyre seksuale. Dhimbjet kronike, operacionet dhe disa sëmundje mund ta bëjnë më të vështirë dhe të dhimbshëm aktivitetin seksual.

Ka disa barna që i përdorin të moshuarit, që mund të prishin funksionet seksuale. Barnat që merren për të ulur tensionin e lartë të gjakut e ulin dëshirën për seks dhe prishin ereksionin. Antihistaminikët, Antidepresantët dhe barnat acido-bllokuese të stomakut, kanë, gjithashtu, efekte anësore që e prishin funksionin seksual të burrit.

Në qoftë se përdorni nga këto barna, bisedoni me doktorin tuaj për problemet shëndetësore dhe për barnat që e ulin aftësinë seksuale. Doktori, po qe se do të interesohet, do ta gjejë mundësinë që t’i pakësojnë këto efekte negative të sëmundjeve dhe të barnave. Në qoftë se doktori nuk tregon interes për këto shqetësime lidhur me seksin, por të thotë: Hiq dorë nga seksi dhe shiko shëndetin, unë të këshilloj ta lësh atë doktor dhe të shkosh tek një tjetër më i mirë.

Si ta përmirësoni jetën seksuale?

Ka shumë të moshuar që thonë: Jeta seksuale përmirësohet me kalimin e viteve. Që edhe ju ta përmirësoni jetën tuaj seksuale kini parasysh këto:

Përpiquni ta zgjeroni kuptimin që keni për seksin. Ju duhet të dini se seksi nuk është vetëm penetrimi vaginal. Duke u moshuar, ka dhe duhet të gjenden mënyra të tjera më komforte dhe më të plota. Prekja mund të jetë një alternativë e mirë për interkursën. Kjo arrihet duke u mbajtur nga dora me njeri-tjetrin. Duke bërë masazh sensual reciprok. Duke masturbuar reciprokisht dhe duke bërë seks oral.
Rritni komunikimin me gruan. Komunikimi i mirë do t’u afrojë më shumë të dyve. Diskutoni me njëri-tjetrin ndryshimet nëpër të cilat kaloni dhe çfarë duhet të bëjë secili nga ju që të akomodoheni më mirë gjatë seksit. Ndërroni pozicionin që bëni seks, kjo do ta bëjë më të lehtë seksin për ju. Përpiquni të gjeni aktivitete të tjera seksuale, siç janë masazhi dhe përkëdheljet që u interesojnë të dyve. Pyeteni gruan lidhur me kërkesat e saj dhe ajo t’u pyesë ju për kërkesat tuaja. Konsultohuni për mënyrën se si mund të akomodoheni më mirë me njëri-tjetrin. Shpeshherë, vetëm, komunikimi i mirë midis burrit dhe gruas, mjafton për t’u eksituar seksualisht.
Ndryshojeni rutinën e seksit. Ndonjëherë, ndryshime fare të vogla mund ta përmirësojnë shumë jetën seksuale. Ndryshojeni kohën kur bëni seks. Bëni seks atëherë kur keni më shumë energji. Provojeni në mëngjes, kur jeni të freskët nga gjumi i mirë i natës. Kjo është më mirë se në fund të një dite të gjatë e të lodhshme. Lini më shumë kohë për romancën, siç është një darkë romantike në një restorant, një mbrëmje vallëzimi, një natë në hotel. Provoni një pozicion të ri për seks, që është më komfort për të dy. Pozicione ka me qindra, por po të jeni pak krijues dhe aventurierë, ju do të gjeni shumë pozicione, që do t’i përshtaten edhe kushteve tuaja shëndetësore.
Mos shpresoni të bëni mrekullia. Në qoftë se, kur keni qenë i ri, nuk keni bërë seks shumë shpesh, mos shpresoni të bëni më shumë tani që u martuat i moshuar. Burrat që janë kënaqur me seks të shpeshtë kur ishin të rinj, ka të ngjarë ta vazhdojnë këtë kënaqësi edhe kur moshohen.
Kujdesuni për shëndetin. Dieta e shëndetshme dhe ushtrimet e rregullta do të ta mbajnë trupin në formë. Kjo do t’u mbajë gati për seks në çdo moshë. Përdorni dietë të balancuar, plot fruta dhe zarzavate. Ushtrohuni më së paku 30 minuta në ditë, shumicën e ditëve të javës. Evitoni alkoolin. Teprimi me alkool ul funksionin seksual. Barnat ilegale si marijuana, kokaina e të tjera, gjithashtu, e prishin funksionin seksual.
Nuk më thoni si është puna me gruan. Është ajo e moshuar apo e re. Sido që të jetë, po u them edhe disa fjalë për gratë e moshuara.

Çfarë ndodh me jetën seksuale, kur gratë moshohen?

Ndryshimet më të mëdha në trupin e grave lidhen me menopauzën dhe pakësimin e nivelit të estrogjenit. Vagina e grave të moshuara e humbet elasticitetin dhe që të lubrifikohet dhe të përgatitet për seks, kërkon eksitim seksual për kohë më të gjatë. Këto ndryshime e bëjnë interkursën pak më të vështirë dhe me dhimbje. Gratë e moshuara ndjejnë pak djegie gjatë penetrimit dhe ndonjëherë konstatojnë pak gjak pas penetrimit vaginal.

Për të evituar këto vështirësi, gratë e moshuara duhet ta bëjnë lojën seksuale më të zgjatur. Kjo ndihmon të bëhet lubrifikimi natyral i vaginës, por ato duhet të përdorin edhe lubrifikantë artificialë me bazë ujore, siç janë “K-Y” dhe “Aqualub”. Është mirë që ato të bisedojnë me doktorin për këto vështirësi që kanë dhe ai do t’u japë një krem me estrogjen për të lyer vaginën, ose do t’u japë mjekim të përgjithshëm për të rritur nivelin e estrogjenit në gjak.

Gratë e moshuara, dhe ju burrat e tyre, në qoftë se doni të keni jetë seksuale të gjatë, duhet të bëni penetrim vaginal rregullisht. Kjo është mënyra më e mirë për të ruajtur lubrifikimin dhe elasticitetin e vaginës. Në qoftë se një grua në moshë rreth gjashtëdhjetë vjeç, nuk bën seks me penetrim për gjashtë muaj, mukoza e vaginës së saj do të atrofizohet dhe do të thahet. Mos harroni atë që e kam thënë shpesh: ” Përdore, ndryshe e humbe”.

Një grua që nuk ka bërë seks për një kohë, relativisht të gjatë, duhet të përdorë lubrifikantë me shumicë dhe të kërkojë nga burri që ta kryejë marrëdhënien seksuale ngadalë. Kështu pakësohen dhimbjet gjatë penetrimit. Kur penetrimi është bërë i pamundur, gruaja dhe burri, duhet të provojnë mënyra të tjera për të qëndruar intimë me njëri-tjetrin, deri sa mukoza e vaginës të përgatitet për penetrim.

Edhe një herë: Mos hiqni kurrë dorë, përfundimisht, nga intimiteti seksual për arsye të dhimbjes. Kjo është një gjendje që, vetëm ju dhe të ndihmuar nga doktori, do ta kapërceni.

Të shkrova gjatë sepse pyetja jote ishte fare e papërcaktuar. Duke qenë se ajo ishte shumë e përgjithshme, m’u desh të shkruaja për shumë gjëra. Po qe se ke probleme të veçanta, që nuk e gjejnë përgjigjen në këto rreshta, më shkruaj përsëri.

Incoming search terms:

Leave a Reply